Pas 4 vitesh burg, Nazime Visha doli sot në liri, pas faljes së pjesës së mbetur të dënimit nga Presidenti Bujar Nishani.

22-vjeçarja la qelinë e hekurt të burgut të grave në Ali Dem në orën 13:15 minuta. E rrethuar nga gazetarët, ajo ka falënderuar të gjithë personat që kanë ndihmuar në lirimin e saj dhe gjithashtu u shpreh se do të nisë menjëherë shkollën.

“Falënderoj jashtë mase shumë ministrin e Drejtësisë, z.Manjani, Eni Vasilin, Ismail Kadarenë, drejtoreshën e burgut dhe gjithë shtetitn e politikanët, të gjithë pa përjashtim”,­ ka thënë Nazimja, teksa u prit nga gjyshja dhe familjarë të saj.

Gjykata e dënoi me 10 vjet burg Nazimen për vrasjen e Fiqiret Muçës dhe i kishin mbetur edhe 3 vite e 9 muaj burg për të vuajtur.