Pasi ka ndalur disa kampionate futbolli e sportesh të tjera dhe ka shtyrë ndeshjet e disa të tjerave, koronavirusi ka prekur edhe kampionatin amerikan të basketbollit NBA, që mbrëmjen e djeshme pezulloi të gjitha ndeshjet deri në një vendim të dytë.
Vendimi erdhi menjëherë pasi basketbollisti francez i Utah Jazz, Rudy Gubert rezultoi pozitiv ndaj virusit që po përhapet me shpejtësi dhe ka vënë në alarm botën mbarë, ndërsa edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi ditën e djeshme si një pandemi.
Rezultatet e analizave të Gubert dolën vetëm pak orë para startit të sfidës mes Utah Jazz dhe Oklahoma City Thunder, ndërkohë që shkallët e pallatit të sportit kishin filluar të mbusheshin, ndërsa organizatorët ndërhynë menjëherë për të anuluar takimin.
Pak orë më vonë u vendos që sportistët e të dy skuadrave të futeshin në karantinë dhe të ndërpritej deri në një vendim të dytë kampionati i basketbollit, për të mos rrezikuar aspak shëndetin e njerëzve të angazhuar në këtë sport.