“Synojmë të nisemi në tetor 2027”, kështu deklaroi George Aivazoglou, menaxheri i përgjithshëm i “NBA Europe”, duke zbuluar detaje të reja mbi projektin për krijimin e një lige europiane të NBA-së, gjatë fjalës së tij në “Football Business Forum”, mbajtur dje në Universitetin e Milanos. Në një intervistë, Aivazoglou konfirmoi zyrtarisht shumë nga thashethemet e javëve të fundit dhe foli hapur për praninë, pas dy vitesh, të dy skuadrave italiane në këtë kampionat të ri: një me qendër në Romë dhe tjetra në Milano.

Megjithatë, ai la ende të hapur çështjen e partnerëve me të cilët do të zhvillohet projekti në Itali. Aivazoglou konfirmoi gjithashtu se “NBA Europe” do të ketë “një formulë gjysmë të hapur me 16 skuadra: 12 të përhershme dhe 4 që do të kualifikohen për meritë sportive”. Sipas tij, “njëra do të vijë nga “Basketball Champions League”, e organizuar nga FIBA, që është partneri i “NBA Europe”, ndërsa tre të tjerat do të përzgjidhen nga ligat kombëtare.

Për herë të parë, nga një burim zyrtar, u publikua edhe lista e 12 skuadrave të përhershme të ligës së re, të cilat janë: Milano dhe Roma për Italinë, Londër dhe Mançester për Mbretërinë e Bashkuar, Parisi dhe Lioni për Francën, Madridi dhe Barcelona për Spanjën, Berlini dhe Mynihu për Gjermaninë, si dhe nga një skuadër në Athinë dhe Stamboll. “Synojmë të ruajmë ekuilibrin mes tregjeve të mëdha, historisë dhe traditës”, tha Aivazoglou.

Në fund, ai foli edhe për skenarë afatgjatë: “Mund të shkojmë drejt një kompeticioni të ri me skuadra nga NBA dhe NBA Europe, e ndoshta në të ardhmen të kemi një integrim më të plotë. Imagjinoj diçka si ‘NBA Cup’, me katër ekipe nga NBA dhe katër nga Europa. Ose ndoshta një turne botëror, ngjashëm me atë të FIFA-s verën e kaluar”, përfundoi Aivazoglou.