Në Panairin e 21 të Librit “Tirana 2018”, i cili po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, janë ndarë çmimet e letërsisë. Për përzgjedhjen e çmimeve janë lexuar në total 131 vepra, në të cilat 50 për qind janë autorë shqiptarë dhe 50 për qind autorë të huaj.
Çmimi i karrierës ka shkuar për shkrimtarin Kim Mehmetin, për romanin e tij “Pusi”. Çmimi i krijimtarisë më të mirë të vitit ka shkuar për Brajan Sukaj me romanin “Ciklopi”, ndërsa çmimi për përkthimin më të mirë, Donika Omarit për romanin “Nga ana e princeshës së vdekur”.
Sa i takon çmimit inkurajues, ai është marrë nga dy shkrimtare, Iva Nikolli dhe Flogerta Krypi, respektivisht me veprat “Vetëm për ty” dhe “Gjithçka rreth asgjësë”.
Poeti Zef Skiro Di Maxho sakaq ka fituar çmimin special për “Poema Arbëreshe”. Kurse çmimin për shqipërim të veprës e ka fituar Ilia Lëngu, për përkthimin nga frëngjishtja të veprës frënge “Të drejtët” nga Albert Camy.
Panairi i Librit është çelur paraditen e së mërkurës, ku janë ekspozuar rreth 200 tituj të rinj nga 100 ente botuese. Në edicionin e 21-të të Panairit nuk mungojnë edhe qindra tituj të zgjedhur të ribotuar nga letërsia shqipe dhe ajo botërore. Panairi i Librit konsiderohet nga botuesit dhe studiuesit si mundësia më e mirë për të takuar lexuesin.