U ndanë sot çmimet vjetore të gazetarisë për vitin 2025, ku u vlerësua puna e gazetarëve nga të gjitha trevat shqipfolëse, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Ambasadës Gjermane në Tiranë, në praninë e përfaqësuesve të politikës, diplomacisë dhe komunitetit mediatik.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ambasadori i Gjermanisë Karl Bergner, si dhe personalitete të njohura të gazetarisë shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi theksoi rëndësinë e rolit të gazetarisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar nevojën për transparencë dhe informim të qytetarëve mbi standardet dhe sfidat që sjell Bashkimi Evropian. Ai bëri të ditur se Kuvendi po punon për ngritjen e një qendre mediatike për akses në kohë reale të informacionit parlamentar.

Deputetja Jorida Tabaku u shpreh se gazetaria cilësore sot përballet me vështirësi serioze, ndërsa bëri të ditur se në Komisionin e Medias po punohet për iniciativa ligjore që synojnë përmirësimin e mjedisit mediatik dhe mbrojtjen e gazetarëve.

Ambasadori gjerman Karl Bergner vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të gazetarisë në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe theksoi mbështetjen e Gjermanisë për iniciativa që forcojnë median, si në përmbajtje ashtu edhe në aspektin profesional dhe ekonomik.

Nga ana e tij, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, theksoi se UGSH është organizata më përfaqësuese e gazetarëve shqiptarë, me një kontribut prej gati dy dekadash në mbrojtjen dhe promovimin e standardeve profesionale.

Gjatë ceremonisë u nderuan edhe gazetarë që nuk jetojnë më. Çmimi “Gazetari sportiv i vitit” për Saimir Demin u tërhoq nga familjarët e tij, ndërsa çmimi i “Karrierës II”, i akorduar për gazetarin, analistin dhe ish-drejtorin e përgjithshëm të ATSH-së Artur Zheji, u tërhoq nga bashkëshortja e tij. Zheji u nda nga jeta në muajin gusht, në moshën 64-vjeçare.

Fituesit e çmimeve të gazetarisë për vitin 2025:

  • Konkursi “Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike:
    Eliza Gjediku, Ilda Hoxha, Uran Haxha, Anëmsha Shabani
  • Çmimi “Raportimi më i mirë i vitit” – Florian Goga
  • Çmimi “Reporteri më i mirë i vitit” – Eraldo Harlicaj
  • Çmimi special – Besim Dybeli
  • Çmimi “Gazetari sportiv i vitit” – Saimir Demi
  • Çmimi i “Karrierës I” – Nazim Rashidi
  • Çmimi i “Karrierës II” – Artur Zheji