Gigi Hadid dhe Zayn Malik i kanë dhënë fund lidhjes së tyre! Lajmi është bërë kryefjalë e të gjitha mediave dhe shkaku i ndarjes kësaj radhe mendohet të kenë qenë mosmarrëveshjet e Zayn me nënën e Gigi-t, Yolanda Hadid.

Një përfaqësues i Gigi-t dha një deklaratë për People dje, duke shpjeguar se përparësia e modeles është kujdesi për vajzën e tyre të vogël, pavarësisht mosmarrëveshjeve familjare.

“Gigi është e fokusuar vetëm te më e mira për Khai-n. Ajo kërkon privatësi gjatë kësaj kohe.”

Gazeta raportoi të enjten se Hadid dhe Malik janë ndarë me konflikt, të cilin një burim e konfirmoi më vonë për Page Six.

“Ata nuk janë bashkë tani. Megjithatë, ata janë të dy prindër të mirë”, tha një mik i familjes për median. “Ata janë prindër që kujdesen shumë për vajzën e tyre. Yolanda sigurisht që është shumë mbrojtëse ndaj Gigi-t. Ajo dëshiron më të mirën për vajzën dhe mbesën e saj.”

Ndërsa burime për TMZ thanë dje se Malik dyshohet se ka goditur Yolanda-n, një pretendim që këngëtari e mohoi me forcë.

“Unë e mohoj me vendosmëri sulmin ndaj Yolanda Hadid”, shkroi ai në një deklaratë në mediat sociale. “Për hir të vajzës sime, refuzoj të jap detaje të mëtejshme.”

Në deklaratën e tij, Malik shprehu shpresën se Yolanda “do të rishqyrtojë pretendimet e saj të rreme dhe do të shkojë drejt shërimit të këtyre çështjeve familjare në mënyrë private”.

Muzikanti më pas hodhi dritë mbi çfarë çoi në incidentin e supozuar mes tij dhe ish-vjehrrës së tij.

“Siç e dini të gjithë, unë jam një person privat dhe dua shumë të krijoj një vend të sigurt dhe privat për vajzën time ku të rritet. Një vend ku çështjet private të familjes nuk hidhen në skenën botërore që të gjithë të merren me to”, vazhdoi ai. “Në përpjekje për ta mbrojtur atë hapësirë për të, unë rashë dakord të mos i kundërshtoja pretendimet që lindin nga një debat që pata me një anëtar të familjes së partneres sime, që hyri në shtëpinë tonë ndërsa partnerja ime nuk ishte aty disa javë më parë.”

Malik ndau gjithashtu zhgënjimin që problemet e tij me familjen e Gigi-t u bënë publike:

“Kjo ishte dhe duhet të jetë ende një çështje private, por duket se tani për tani ka përçarje dhe pavarësisht përpjekjeve të mia për të rikthyer një mjedis të qetë familjar që të na lejojë të bashkë-prindëroj vajzën time në një mënyrë që ajo e meriton, kjo është njoftuar në shtyp.”