Edicioni i dashurisë? Epo, ku ka çifte ka gjithçka, tradhti, xhelozi, ndjenja, ndarje… Kjo e fundit ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e “Big Brother”, ku një nga vajzat braktisi “live” të dashurin.
“Nuk kam më ndjenja, nuk dua të shtirem dhe të mbaj një lidhje false, sa për lojë”, është shprehur Ambra gjatë spektaklit. Kjo nuk ishte një surprizë e madhe, duke qenë se çifti kishte ndarë lojën javë më parë dhe janë tashmë pjesë e “Big Brother” individualisht.
Elsamedi sqaroi se ndarjen e kishin diskutuar gjatë dy ditëve të fundit, por kishin vendosur që ta thoshin mbrëmë. “Kishim një lidhje në ajër që në fillim, pa hyrë në shtëpi. Ambrën e ftova unë të bëhej pjesë e lojës dhe e kam mbrojtur edhe pse kishim lojë të ndarë. Por nuk duam të jemi fals”, ka thënë ai.
Arbana nuk e komentoi aspak vendimin e çiftit, ndërsa ra dakord me gjithçka që u tha, duke shpjeguar se publiku arrin të gjykojë vetë se ç’ka ndodhur mes tyre.





