Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Lutfi Hoxha. 

Lajmin e trishtë e ka dhënë Teatri i Durrësit, i cili njofton përmes një postimi në rrjetet sociale këtë të diel se homazhet për aktorin e ndjerë do të mbahen nesër në hollin e teatrit “A. Moisiu”:

Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga gjiri ynë artistik i xhevahirit të fundit të plejadës së artë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka”.

Lutfi Hoxha lindi në Durrës më 1 qershor të vitit 1934 ku dhe kreu mësimet e para për të vijuar liceun artistik “Jordan Misja” në degën e aktrimit. Nisi të merret me teatër që kur ishte amator në grupin e Kantierit Detar ku spikati talenti dhe aftësia e tij për të krijuar karaktere. Në estradën e ushtrisë u shqua sidomos për monologët e tij të realizuar me vërtetësi dhe plot humor.

Mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike. Disa prej filmave në të cilat ka interpretuar janë “Rrugicat që kërkonin diell”, “Detyrë e posaçme”, “Thirrja”, ”Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Nata e parë e lirisë”, “Ne dhe Lenini” etj. Dalja në pension nuk i solli apati profesionale, përkundrazi. Vijoi t’i përgjigjet ftesave të regjisorëve. Luajti në “Qytet pa dashuri” të Bashkim Hoxhës, “Trokitje në dyert e dhimbjes” nga Serafin Fanku, monologun e Edipit në “Edipi Mbret”, “Nuk paguajmë, nuk paguajmë” të nobelistit Dario Fo, në komendinë “Dy vëllezër e gjysmë”, si dhe në Teatrin Kombëtar “Korbi i bardhë”.

Lutfi Hoxha kishte marrë titujt: Qytetar Nderi i Durrësit, Mjeshtri i Madh dhe Artisti i Merituar!