Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare aktorja durrsake, Filika Dimo.
Lajmin e hidhur e ka dhënë teatri “Aleksandër Moisiu” përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ku bën me dije se aktorja Dimo jetonte prej disa vitesh në shtetin belg.
POSTIMI I PLOTË
Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të aktores Filika Dimo, e cila prej disa vitesh jetonte në Belgjikë.
Kujtojmë këtu qe Filika Dimo u lind në Durrës me 1 gusht të vitit 1939. U diplomua në departamentin e aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas studimit, ajo filloi të punojë në Teatrin Popullor në Tiranë. Pjesën më të madhe të aktivitetit e ka pasur në Teatrin “Aleksandër Moisiu” ku ka punuar si aktore e roleve kryesore në shumë verpa dramatike krahas aktorëve të tjerë durrsakë si Nikolin Xhoja, Spiro Urumi, Kadri Pirro, Marta Burda, Lazër Vlashi, Gaqo Spiro etj.
Ajo bëri debutimin e saj në kinematografi në vitin 1959 me rolin e vogël të Shpreses në filmin Furtuna. Ajo luajti në filma të tjerë artistikë si Dëshmorët e monumenteve, Fletë të bardha & Mëngjese të reja. Filmi qe e bëri më të njohur dhe më të vlerësuar atë si aktore, është filmi televiziv me 2 seri i RTSH-së “Koha nuk pret”, me rolin e Beatrice Shmid, një rol epokal nga më të realizuarit në kinematografinë shqiptare, rol i cili ka mbetur në kujtesë për interpretimin brilant. Bashkëshortja e skenografit të madh të Teatrit “A.Moisiu”, Zef Ujkaj.