11 shkurt 2014 – Ndahet nga jeta në moshën 79 vjeçare një prej ikona të humorit, z. Skënder Sallaku. Një prej ikonave të humorit shqiptar, aktori Sallaku vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë. Skënder Sallaku është njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, autor skeçesh e parodish, etj. Është i njohur për interpretimin e tij brilant në estradë dhe cirk.Skënder Sallaku ka lindur me 25 janar të vitit 1935 në Tiranë. Ai ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës fizike ”Vojo Kushi” dhe ka kryer dy vjet specializim në akrobaci dhe humor në Kinë, pranë cirkut të Pekinit.Ka punuar si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun në cirk duke e ushtruar një profesion sa të vështirë aq edhe të bukur. Ka vazhduar paralelisht edhe në film, humor, dramë, etj.Skënder Sallaku kishte një karrierë artistike gjashtëdhjetëvjeçare në skenë. Përveç çmimit “Artist i Popullit”, ai ka edhe titullin ”Artist i Merituar”, “Mirënjohja e qytetit”, etj.
Edi Rama: Lajm i trishtueshem vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohë të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë! Ngushëllime familjes.
Mirela Kumbaro: Njeriu që ikën duke lënë duke na lënë humorin dhe të qeshurat! Lamtumirë Skënder Sallakut – personifikimi i gazit dhe ndjenjës së mirë!
Veli Rada: Bashkëpunëtori i Skënder Sallakut, aktori Veli Rada është shprehur se estrada shqiptare ka humbur kolosin e saj ndërsa bashkëpunëtorët e tij kanë humbur njeriun e tyre të dashur.
Julian Deda: Ndahet nga jeta, nje tjeter profesionist, Skender Sallaku..! Te vjen keq kur perjeton ikjen nga kjo bote te disa njerezve me kontribut te jashtezakonshem per vendin e tyre..! Nja nga keta eshte Skenderi..! Njeri babaxhan dhe artist pa hile..! Sot humori humbi nje nga bijte e tij…! Respekt dhe u prehsh ne paqe Skender Sallaku..!
Sadi Vopsi: Sot, Tirana shënon 94-vjetorin e shpalljes kryeqytet. Por kjo ditë bëhet më e varfër për të gjithë kur mësojmë se ikona e artit kryeqytetas, Skënder Sallaku, nuk do të jetë më fizikisht me ne. Ngushëllime familjes për njeriun e tyre të dashur, i cili i dha Tiranës shembullin më të mirë në aktrim, cirk e më gjerë. Respekte përjetë “Artistit të Popullit” që i dha shumë vendit dhe mori pak prej tij.
Tinka Kurti: Një humbje e madhe. Unë isha dje në spital dhe takova familjen. Ai do kryente një operacion tjetër. Isha në merak, i thashë vajzës së tij të më telefononte, të më njoftonte mbi cdo të re. Gjithë natën kam qenë në siklet dhe ndjeva një dhimbje të madhe teksa mësova humbjen e madhe.
Margarita Xhepa: Nuk na ishte shuar ende dhimbja nga humbja e Vace Zelës, tani dhe aktori i shkëlqyer, i dimensioneve të mëdha. Kishte një humor që i buronte natyrshëm. I qëndiste rolet me mimikën e tij shprehëse. Kishte karakteristika të vecanta, zëri i tij karakteristik, shquhej për spontanitetin. Aktor i mençur që e dashuronte artin dhe punonte me thjeshtësi. E takova para një muaji në Librazhd në një event dhe ishte i lumtur. Ai kishte fituar respektin e madh të popullit dhe këtë e shprehte dhe ia shprehnin vazhdimisht.
Gëzim Kruja: E kam pas shok, para 5 muajsh kemi dhënë një shfaqje në Durrës. Artist i madh nuk i vjen më Shqipërisë, dac parodist, dac kloun, akrobat. Duhen romane të flasësh për Skënder Sallakun. Aq i thjeshtë, ndaj populli e deshi se populli do të thjeshtën.
Rezarta Reci: Nisëm një miqësi teksa pija një filxhan caji që zgjati 3 orë. Dëshiroja ti bëja një intervistë dhe kam qeshur pa fund si kurrë në jetën e tij. Aktor i mrekullueshëm dhe vetëm me mimikën që kishte të shkaktonte gaz, por ndërkaq një njeri që përlotej me ngjarje tragjike. Miku im i mirë, takimi i fundit ka qenë një ditë para ditëlindjes së tij. Më 24 Janar, e kisha planifikuar për ditëlindjen e tij ‘Arratinë e Peshkut të Kuq”. Ishte nga ata artistë që ka ikur pa pengje, sepse nuk i ka munguar vlerësimi, kujdesi nga shteti, por dashuria e artdashësve. Do na mungojë të gjithëve.
Muharrem Hoxha: Vit i poshtër, po na ikin artistët. Para dy javësh fola në telefon, dhe i thashë po bën ditëlindjen e nuk jam unë aty. ‘Hë tha s’ka problem se 79 vjec po bëj’. U shpreh ngushëllime familjes, nipërve dhe mbesave. Një aktor kaq popullor, kaq i madh.
Fadil Hasa: Herën e fundit që e takova, ishim në Durrës. Si e mbaj mend. Kur thoshte që do tregoj një gjë, ne e lusnim ta tregonte se e dinim që nuk do e përsëriste më atë histori. Skënderi u ka dhënë bukë popullit kur ishte i uritur, i varfër, ai i ushqeu me humorin e tij. Familja Sallaku humbi një njeri të jashtëzakonshëm. Nuk besoj se ka një brengë besoj, ai i ka marrë stimujt moralë, dhe pension special, ka marrë vazhdimisht respekt dhe është nderuar dhe vlerësuar, por sidomos nga populli. U shkëput një yll tjetër i artit sot.
Sulejman Dibra: Estrada pati humbje të madhe, Njeriu i parë që i dha jetë estradës, humorin me të shëndetshëm dhe populli do e kujtojë për humorin e tij të madh dhe të shëndetshëm. Ai e donte dhe e ruante humorin. I pari njeri që thirrej në gëzime, ishte Skënder Sallaku. E donin njerëzit dhe sa e respektonin dhe kjo sepse kishte zemër të madhe. E njihnin nga të miturit dhe deri tek moshat e mëdha sepse ai bënte humor për të gjithë.
Aurela Gace: Përsëri një humbje tjetër e madhe. Aktori i humorit shqiptar, Artisti i Popullit, Skënder Sallaku është ndarë nga jeta, duke luftuar me sëmundjen e rëndë….shumë i dashur për të gjithë ne…na mbërthente përballë televizorit, na falte të qeshura…dmth na shtonte jetën me humorin e talentin e tij…
Vetëm në një hark kohor kaq të shkurter, u shkëputën 4 Gjeniale te artit Shqiptar. U prehshin ne paqe Laver Bariu, Ibrahim Madhi, Vace Zela e Skënder Sallaku…të ndryshëm nga njëri tjetri e gjeniale në atë që bënin, në atë cfarë i dhuruan këtij populli….ngushëllimet me të sinqerta familjareve dhe adhuruesve të artit të tyre..
Kjo eshte jeta…..na fal kaq shume lumturi, mes njerzve qe I duam, e papritur ata shkeputen nga ne….ngushellime edhe te gjithe familjareve te thjeshte te njerzve te thjeshte e jo te famshem qe kane humbur te dashurit e tyre gjithe keto dite mbushur me aksidente…. dhimbja e ikjes nga jeta eshte e njejte, familjareve u dhemb po njesoj…Zoti I marrte ne duart e tij e qendrofshin mes engjejve.
Lulzim Basha: Ndarja nga jeta e legjendës së humorit tiranas Skënder Sallaku më trishtoi pa mase. Pak jave më pare u takuam në Bashki. Përcillte si gjithmonë po atë humor dhe optimizëm që e shoqëronte emrin dhe praninë e tij prej dekadash. Skënder Sallaku ishte një nga artistët më të dashur për cdo qytetar të këtij vendi pavarësisht moshës. Ngushëllime familjes, miqve dhe artdashësve të tij të shumtë.
Ministria e Integrimit Europian: Skënder Sallaku, një nga ikonat e humorit Shqiptar aq i dashur për të gjithë ne u largua sot nga jeta. Ngushëllime familjarëve!
Sali Berisha: Të dashur miq, me ndarjen nga jeta të humoristit të famshëm Skënder Sallaku, satira dhe humori shqiptar humbën korifeun e interpretimit të tyre, ndërsa kombi ynë humbi një artist të madh të papërsëritshëm, ndër më të dashurit për publikun shqiptar. Ngushëllime familjes Sallaku! sb





