6 shkurt 2014 – Shuhet artistja e madhe e skenës shqiptare, Vaçe Zela. Këngëtarja ndërroi jetë në moshën 74 –vjeçare, sot rreth orës 01:00 të mëngjesit në Basel të Zvicrës pas një sëmundje të gjatë. Lajmi konfirmohet nga familjarët e saj në Zvicër.  Vaçe Zela lindi në Lushnje në vitin 1939 dhe më 7 prill të këtij viti do të mbushte 75 vjeçe. Ajo është gruaja e parë shqiptare e nderuar sa qe gjallë me titullin “Nderi i Kombit".    Artistja e Popullit dhe këngëtarja me famë të madhe, u zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnje. Vaçe Zela kishte një zë të jashtëzakonshëm. Vaçe Zela mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ajo ishte një këngëtare e cila ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radio televizion që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën “Komunistët” (dubluar nga Marina Grabovari).  

Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh ajo ka jetuar dhe është kuruar në Zvicër. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.” Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.  Vaçe Zela u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Burime nga Ministria e Kulturës shprehen " se trupi i artistes pritet të mbërrijë nesër në Shqipëri, ku do t'i bëhen homazhet dhe do të përcillet për në banesën e fundit.