ITALI, 09 mars 2013 – Regjisori që i dha jetë "La Piovra"-s së famshme vdiq në moshën 90-vjeçare. Është shuar në moshën 90-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje në rrugët e frymarrjes, ai që i dha jetë mafies italiane në ekranin e televizorit. Damiano Damiani, regjisori i filmit të famshëm edhe në Shqipëri, "Oktapodi", është ndarë nga jeta.
I lindur në vitin 1922, Damiani hyri në historinë e televizionit italian dhe jo vetëm atij, falë serialit të paharrueshëm "La Piovra" (Oktapodi) në 1984-n. Një sukses i jashtëzakonshëm, që përfshiu jo vetëm Italinë, por disa vende në Evropë. Pas një serie filmash jo fort të njohur për publikun shqiptar mund të thuhet se puna e tij e fundit kinematografike ishte "Assassini dei giorni di festa" (Vrasësit e ditëve të festës) përpara 12 vjetësh.
Aktori Michele Placido, i prekur nga vdekja e regjisorit shprehet: "Unë them këtë me plagë në zemrën time dhe me lot në sytë e mi: Unë i detyrohem për të gjitha Damiano Damianit. Nuk do të isha bërë ky që jam tani. Ai më bëri të njohur mua, jo vetëm në Itali, por në mbarë botën, sepse oktapod e kanë parë dhe dashur të gjithë. Ai krijoi karakterin e Komisar Katanit simbol universal i luftës kundër mafias dhe që ende jeton atë sukses. Për mua ai ishte një mjeshtër i vërtetë. "