Ndahet nga jeta Doktori nga Durrësi, Arif Vezi në moshën 61-vjeçare.

Dr. Arifi, një figurë e rëndësishme e shërbimit të urgjencës së spitalit të Durrësit dhe një shembull i përkushtimit të palodhur ne shërbim të pacientëve, sot nuk është më mes nesh.

Lajmin e jep Urdhri i Mjekut Durrës, ku përmes një postimi në Facebook, thekson se përgjatë gjithë jetës profesionale, doktori me bluzën e bardhë të tij u bë pjesë jo vetëm e mjekëve profesionistë të qytetit tonë, por edhe e shumë viteve të mbushura me punë e sakrifica të panumërta.

“Dr. Arif Vezi, u lind në vitin 1963.

Përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1988 si Mjek i Përgjithshëm, duke e përfunduar me rezultate të shkëlqyera.

Më pas punoi disa vite si mjek familje në Qendrën Shëndetësore të Sukthit.

Dr. Arif Vezi specializimin e fokusoi në fushën e dermatologjisë.

Me të përfunduar specializimin emërohet në urgjencën e spitalit të Durrësit ku vazhdonte te ushtronte profesionin.

Doktor Arif Vezi gjatë gjithë karrierës së tij tregoi profesionalizëm, kulturë, korrektësi, qytetari dhe vlera e virtyte humane që konfiguruan tek secili mjekun e besuar dhe shumë të dashur për çdo pacient.

Përgjatë gjithë jetës profesionale, doktori me bluzën e bardhë të tij u bë pjesë jo vetëm e mjekëve profesionistë të qytetit tonë, por edhe e shumë viteve të mbushura me punë e sakrifica të panumërta.

Duke u shprehur ngushëllimet e përzemërta familjarëve dhe kolegëve, urojmë që shpirti i tij të prehet në paqe!

I paharruar qoftë kujtimi i tij!“, shkruhet në njoftim.