TIRANE, 29 mars 2013– Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare gazetari i njohur i organeve të shtypit dhe medias në Shqipëri, Marash Hajati. 

Emri i tij është bërë i njohur jo vetëm për shkrimet si publicist, por sepse për 14 vjet me radhë punoi si gazetar dhe drejtor i TVSH. Në vitet ’74-’88, Hajati ka qenë dhe drejtor i përgjithshëm i RTSH. 

Marash Hajati lindi në vitin 1934 në qytetin e Shkodrës. 
Shkollën e mesme e kreu më 1952 në qytetin e lindjes. Nga viti 1952 e deri në vitin 1957 ndoqi studimet e larta e në Universitetin e Petërburgut, në Fakultetin e Filologjisë, dega gazetari. Diplomohet publicist. Punoi si redaktor në gazetën "Puna" e më pas, sekretar kolegjumi i saj dhe instruktor për shtypin. Nga viti 1974 deri në vitin 1988 ka qenë fillimisht Drejtor i Televizionit e që nga fillimet e viteve 80-të Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit. Në vitet 1988-90 Kryeredaktor i gazetës "Zëri i Popullit". Për afro 14 vjet ka qenë Kryetar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë. 

Përveç artikujve të shumtë në organet e shtypit, si dhe RadioTelevizion ai ka shkruar edhe, dokumentarët, ‘Tërmeti tundi malet por jo zemrat tona’, ‘Fitimtarë mbi tërmetin (Nderuar me Çmim Republike)’ 

Të tjera Botime

Bijtë e tokës sime (krijime publicistike – 1982) 
Dera e prapme shtypit (ngjarje e kujtime nga puna në shtyp e media – 1998) 
Shqipëria në kapërcimin e shekullit (analiza e komente – 1999) 
Çanta me kontratë (Poezi) 
Tish Daija, i vecanti (monografi – 2005) 
Vite befasish (kujtime) 
Histori dhe Vizion Stefani & Co (monografi) 
Dritëro, kohës i falemi për këtë ditar (kujtime – 2012)