Matematicieni i njohur në qytetin bregdetar është ndarë nga jeta ditën e sotme, ndërkohë që ceremonia mortore do të mbahet të shtunën, në orën 11.00.
Për shumë vite me radhë, ai përgatiti breza të tërë nxënësish në lëndën e matematikës, ndërkohë që në vitet e demokracisë, u angazhua për një periudhë shumë vjeçare në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, fillimisht si sekretar dhe më pas për 3 mandate si kryetar i saj.
Në vitet e para të demokracisë, ai ka mbajtur për një periudhë kohe postin e kryetarit të Këshillit Pluralist të Rrethit.
Kush ishte Andrea Xhavara
Ka ushtruar për njëzet vite profesionin e mësuesit të matematikës, deri në muajin gusht të vitit 1991, kur emërohet shef i personelit i Këshillit Pluralist të Durrësit. Më 1 mars 1992 emërohet Kryetar i Këshillit të Rrethit të Durrësit deri në muajin shtator të vitit 1992.
Më pas punon për një vit në Ministrinë e Tregtisë dhe të Bashkëpunimit me Jashtë dhe në korrik të vitit 1995 emërohet sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës.
Më pas themelon agjensinë “Qendra e Promovimit të Biznesit dhe Ekonomisë”.
Në 2007 zgjidhet nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe në 2012 zgjidhet kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë me një mandat, deri në vitin 2015, për t’u pasuar më pas nga 2 mandate të tjerë në këtë post. Është i martuar dhe ka dy djem.





