Ka ndërruar jetë Nexhat Daci, akademik dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës njoftoi se Daci vdiq më 1 janar në moshën 81-vjeçare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi kontributin e Dacit në politikë dhe shkencë.
“Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale“, shkroi Osmani në Facebook.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit në legjislaturën e nëntë, Dimal Basha, çmoi lart kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve.
“Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës”, shkroi Basha në Facebook.
Akademiku Nexhat Daci, ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, ndërkaq ka udhëhequr organin ligjvënës për dy mandate në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.
Në periudhën kur udhëhoqi Kuvendin e Kosovës ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas vdekjes së udhëheqësit të LDK-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, Daci shërbeu si ushtrues i detyrës së presidentit për rreth një muaj më 2006. Pas ndasive me LDK-në, Daci e themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i kësaj partie.





