Ish-presidentja e Parlamentit Europian, Nicole Fontaine e cila ka mbajtur gjithashtu postin e ish-ministres franceze të Industrisë, vdiq të enjten në moshën 76-vjeçare, bëri të ditur sot ish-ministri Dominique Bussereau.
Presidenti francez Emmanuel Macron e vlerësoi si figurën e një gruaje të përkushtuar, e cila përgjatë 35 viteve të karrierës së saj politike udhëhoqi luftën për ndërtimin evropian, sipas një deklarate të presidencës.
Macron theksoi gjithashtu angazhimin e saj në drejtim të arsimit. Fontaine u lind më 16 janar të vitit 1942 pranë Fecamp, në veriperëndim të Francës.
Ish-avokate me profesion dhe drejtuese e arsimit katolik, ajo u bë e njohur në vitin 1984 gjatë protestës kundër një projektligji për arsimin privat, i cili u hoq përfundimisht nën presionin e protestave.
Për vdekjen e Fontaine, foli sot edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli. Ai tha se Fontaine ka qenë një mike e madhe e Kosovës.
“I pikëlluar me lajmin se ish-presidentja e Parlamentit Evropian Nicole Fontaine ka vdekur. Ngushëllimet e mia për familjen dhe kolegët e saj. Ajo ishte një mike e mirë e Kosovës. Në një nga vizitat e saja në Kosovë në vitin 1999 ajo tha se “Bashkimi politik i BE-së ka lindur në Kosovë dhe Parlamenti Europian nuk kishte ndërmend ta heqë rolin e saj nga Kosova”, shkroi sot Pacolli.