Kjo e diel ka nisur me një lajm të zi për artin shqiptar! Ikona e humorit shqiptar, Koço Devole, është ndarë nga jeta sot në moshën 75-vjeçare pasi ndodhej prej ditësh i intubuar në spitalin Infektiv, për shkak se gjendja e tij shëndetësore u rëndua prej Covid-19.

Aktori fillimisht u negativizua dhe doli nga spitali, por u desh të rikthehej me urgjencë për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore sepse vuante edhe nga leuçemia. Kur u shtrua për herë të dytë, ai u fut menjëherë në intubim dhe pas disa ditësh në luftë për jetën, ai e ka humbur këtë betejë.

Devole është një nga personalitetet më të njohura të humorit shqiptar, dhe numëron në repertorin e tij qindra role, në filma dhe komedi.

Përveçse një aktor i shkëlqyer humori, Devole ka qenë karikaturist, skenarist, regjisor si edhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.