Në moshën 81-vjeçare u nda nga jeta një prej legjendave të sportit shqiptar, çiklisti i njohur Bilal Agalliu. Një çiklist i jashtëzakonshëm, që vendosi rekorde jo vetëm në Shqipëri, por dhe në kontinent. Me ndarjen e tij nga jeta, sporti shqiptar ka humbur një prej emrave më të njohur të tij, me Agalliun që si ciklist arriti të fitojë si askush tjetër plot 11 herë radhazi rrethin ciklistik në vend, prej 1954 deri në vitin 1965, ndërsa numëron dhe 15 tituj kampion si ekip me skuadrën e Partizanit.
I lindur në vitin 1935 në Tiranë, ai mori që në fillim të karrierës së tij nofkën “Lepurushi i pakapshëm”, teksa në debutimin e tij në rrethin ciklistik në vitin 1953 arriti të shpallej nënkampion i vendit ndërsa një vit më pas kampion. Falë arritjeve të tij të mëdha Bilal Agalliu ka bërë të mundur shkrimin e emrit të Shqipërisë, në historinë e artë të çiklizmit europian duke qenë një prej përfaqësuesëve më të denjë të sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ndarja e tij nga jeta është dhe një humbje e madhe për sportin në vend në përgjithësi, e mbi të gjitha për ciklizmin në veçanti.