Nga Gëzim Kabashi

Është ndarë sot nga jeta mjekja e njohur popullore e Durrësit Vera Agovi. Agovi u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare.

Po kush ishte Vera Agovi, zonja e nderuar dhe shumë e respektuar në Durrës, që shumë banorë të qytetit bregdetar e kujtojnë për humanizmin e saj të rrallë?

Duart e Verës kanë shëruar qindra pacientë me djegie në pjesë të ndryshme të trupit dhe ilaçet e saj të përgatitura me bimë mjeksore i kanë kthyer buzëqeshjen plot njerëzve.

“Pomadat që përgatis shtrohet lehtë në vendin e djegur, si të ishte një krem fytyre"– tregonte Vera në një intervistë vite më parë.

Mbi të vendoset një letër kartpecetë, të cilën mund ta heqësh më pas me ndihmën e çajit kamomil të vakët.Kjo është në thelb edhe “plastika popullore” që përdorte Vera, e cila ngulmonte se letra i hiqte qelizat e vdekura.

Tradita 80-vjeçare e familjes

Vera Agovi ishte gjyshe dhe stërgjyshe e lumtur. Një jetë kushtuar familjes, por edhe pacientëve nga Durrësi, Tirana, Kavaja dhe Shijaku. Puna humane e Verës i kishte rrënjët në familjen e saj gjirokastrite.

Bashkë me traditën gjirokastrite familja e gjyshërve të Verës solli në Durrës edhe “farmacinë e vogël të djegieve”, e cila dora dorës i kaloi në trashëgimi nënës Zaho.

Njëlloj si gjyshja e saj edhe Vera i ka përgatitur për herë të parë mjekimet popullore të gjyshe Merushes dhe të nënë Zahos atëherë kur njëra nga vajzat e saj është djegur me ujë të vluar. Deri atëherë në shtëpinë që ndodhej te Pusi i Toponasë, thuajse në qendër të Durrësit Vera ishte marrë vetëm me punët e një amvise, ndërsa kishte punuar edhe si edukatore në çerdhe apo në sistemin shëndetsor.

Më pas shumë njerëz i kanë besuar duarve të Verës.

Njerëzit i ishin mirënjohës asaj për kurimin e sëmundjeve për të cilat i drejtoheshin. Dhe ky ishte shpërblimi më i rëndësishëm për mjeken popullore.

Njëra nga vajzat e saj, Zana (në fotot poshtë), po e vazhdon traditën e bijave të familjes që ka nisur 80 vjet më parë. Ky është brezi i katërt i mjekeve popullore në shtëpinë e Vera Agovit që mubylli sot sytë e rrethuar nga njerezit e saj të dashur.