Mjeku i njohur i Spitalit të Traumës, Luan Nikollari është ndarë nga jeta. Lajmin e kobshëm e ka bërë me dije familja e të ndjeri nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Ju bëjmë me dije se babi jone Luan Nikollari ndërroi jetë. Jemi te “Shtëpia e Pritjes Univers”, te rruga Bardhyl”, thuhet në njoftimin e familjes.

Nikollari është një emër i njohur i mjekësisë shqiptare pasi në vite të ndryshme ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, ku mund të rendisim atë si Drejtor i Institutit të Kërkimeve Mjekësore Ushtarake (IKMU) ne Spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU)-Tiranë në 2012.

Gjithashtu përgjatë viteve 2000-2006 ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë se Shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe shef i departamentit të Epidemiologjisë në spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU), përgjatë viteve 1999-2000.

Ndarja nga jeta e mjekut të njohur ka lënë të tronditur edhe mikun e tij, rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

“Lamtumire mik! E rende lamtumira jote! Njeri para se gjithash, mjek i palodhur, drejtues i denje e i papërlyer, babai me i mire qe familja mund te kete, i dashuruar pas SUT, i pakursyer per shoket, miqte e pacientet!  Te qofte e blerte lendinë Luan Nikollari! Kishe akoma shume per te dhene por te deshte qielli Kolonel!”, shkruan Gjata në mesazhin e tij të ngushëllimit në Facebook.

Të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit edhe nga të tjerë mjek e miq të Nikollarit, ndërkohë që ndarja e tij nga jeta ka qenë e papritur, pasi nuk raportohet që të ketë vuajtur nga ndonjë sëmundje e rëndë.

“Çfarë dhimbje. Mik i shkëlqyer, fisnik dhe zemërbardhë. U prehtë në paqe Luani i mirë”, shkruan në Facebook ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Edhe mjeku i njohur, profesor Tritan Kalo ka mbetur i prekur nga humbja e kolegut të tij.

“Një djalë, baba e koleg i përsosur. Të qoftë i lehtë dheu Dr. Luani!!!”, shprehet ai.