Është ndarë nga jeta ndërtuesi i batiskafit të parë shqiptar, Thoma Berberi.

Ai mbylli sytë përgjithmonë në moshën 76-vjeçare pasi prej dy vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë.

Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet ditën e diel (22 mars) ora 10:00 te varrezat e vjetra në Durrës.

Kush ishte Thoma Berberi

Thoma Berberi, apo Mai siç e njohin të gjithë, në vitet ’70 realizoi një sipërmarrje që pak kush do ta kishin cilësuar shumë të guximshme, ndërsa pjesa tjetër do ta quanin thjesht utopi. Por pavarësisht vështirësive, ai së bashku me vëllezërit dhe një grup të vogël shokësh e bashkëpunëtorësh arriti të ndërtonte batiskafin e parë, me të cilin u xhiruan skenat nënujore të filmit “Ballë për ballë”, apo u përdor për të bërë matjet e fundit të detit për të zbuluar zonat ku shpresohej të zbulohej naftë. Në kohën e inagurimit, ndërtimi i batiskafit bëri shumë bujë. TVSH-ja u dedikoi një dokumentar më shumë se 20 minuta djemve të angazhuar në këtë projekt, ndërsa gazeta dhe revista të kohës e propaganduan atë si një arritje mjaft të madhe të këtij grupi durrsakësh nën 30 vjeç, që duke zbatuar direktivat e Partisë së Punës arritën të bënin realitet një sipërmarrje mjaft të vështirë.

Në vitin 1996, Thomai do të krijonte K.A.N.U.D., një klub njerëzish që kanë një të përbashkët, pasionin për thellësitë blu të detit, veprimtari e përqendruar në peshkim, zhytje, eksplorime të fundit të detit, arkeologjisë nënujore etj