Një tjetër humbje e madhe ka ndodhur në radhët e bluzave të bardha.

Ditën e sotme është ndarë nga jeta mjekja Obsetre-Gjinekologe dhe pedagogia e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Suela Muça.

Ajo humbi jetën në një moshë fare të re, vetëm 48 vjeç. Lajmi është bërë i ditur nga Universiteti i Mjekësisë Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike. Sipas informacioneve, Suela Muça vuante nga sëmundja e sklerodermës.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta e Dr. Suela Muça, mjekes Obsetre-Gjinekologe dhe pedagoges së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike.

Dr. Muça u lind në vitin 07.02.1972. Në vitin 1997 u diplomua në mjekësi pranë Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës dhe më pas në vitin 2002 u specializua si mjeke Obsetre-Gjinekologe. Dr. Muça ka punuar pranë Spitalit Gjinekologjik “Koço Gliozheni”.

Prej më shumë se 10 vitesh Dr. Muça ishte pjesë e stafit akademik të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Ajo ishte e karakterizuar nga sinqeriteti, mirësia dhe përkushtimi i lartë si mjeke dhe pedagoge.

Largimi nga jeta i Dr. Suela Muça lë pas një humbje të madhe për mjekësinë, universitetin, familjen, kolegët, studentët, pacientët e shumtë dhe cilindo tjetër që ka pasur fatin e mirë ta njohë.

Universiteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, përcjellin ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe njerëzit e dashur”, bën me dije Universiteti i Mjekësisë.

Për ndarjen nga jeta të mjekes dhe pedagoges Muça ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. 

“E hidhëruar për ndarjen e parakohëshme nga jeta të dr. Suela Muçës, mjekes së talentuar obsetër-gjinekologe dhe pedagoges së devotshme të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Një humbje e madhe për familjen dhe miqtë e shumtë të doktoreshës që transmetonte veç mirësi, por edhe për mjekësinë shqiptare. U prehsh në paqe dr. Suela”,- shkruan Manastirliu. 

E hidhëruar për ndarjen e parakohëshme nga jeta të dr. Suela Muçës, mjekes së talentuar obsetër-gjinekologe dhe…

Posted by Ogerta Manastirliu on Tuesday, December 8, 2020