Influencuesja braziliane e fitnesit Larissa Borges ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare, sipas një njoftimi të bërë nga familja e saj.
Gruaja fatkeqe, sipas deklaratave të familjes, ka pësuar një atak në zemër më 20 gusht, si pasojë e të cilit ka qëndruar në koma për rreth një javë, në një spital të qytetit të vogël turistik të Gramados. Më 28 të muajit ajo pësoi një tjetër atak kardiak dhe këtë herë nuk ia doli. Në një postim në Instagram, familja e saj shprehu dhimbjen e thellë që përjetojnë kur dikush humbet në një moshë kaq të re.
“Dhimbja… është e padurueshme. Zemrat tona janë thyer dhe malli që ndjejmë është i papërshkrueshëm”, shkruan familja e saj, duke theksuar se Borges ishte një person i dashur që la pas një trashëgimi dashurie, gëzimi dhe vendosmërie.
“Prania e saj ndriçoi çdo mjedis dhe energjia e saj infektive do t’u mungojë të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin “, shtoi familja, duke theksuar se do të vazhdojë të informojë publikun për zhvillimet në lidhje me vdekjen e saj.
Sipas policisë lokale të Gramados, pritet të kryhet një hetim për shkakun e saktë të vdekjes së 33-vjeçares, pas përfundimit të autopsisë, pasi përfaqësuesi i autoriteteve shprehu mundësinë që Larisa Borges kishte konsumuar alkool në kombinim me drogë para vdekjes së saj. Policia ka marrë tashmë një deklaratë nga partneri i saj, në kuadër të hetimeve paraprake që po kryejnë dhe së shpejti priten njoftime.
Borges kishte mbi 30 mijë ndjekës në Instagram të cilët i motivonte me ushtrimet e saj të përditshme dhe që ndante me ta momente të ndryshme nga jeta e saj në Brazil, por edhe nga udhëtimet e saj.