Sot është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare  piktori i shquar durrsak, Sali Xhixha. Nga këto vite jetë, rreth 70 vite piktori i shquar, një gjeni autodidakt i kaloi me penel në dorë.

Ai i dhuroi qytetit pamje mahnitëse dhe impresionuese duke shfaqur të gjitha dimensionet e Durrësit, me rrugët, njerëzit, detin, portin, sektorët e punës etj.

Për memorien historike të qytetit  Xhixha   tregoi  artistikisht edhe dashurinë e fortë që e ka lidhur gjithmonë me vendlindjen e tij, dashuri që e tregoi me telajon  me bojërat e vajit. Veç figurave historike si Skënderbeu, Isa Boletini etj, Xhixha ka sjellë me mjaft realizëm e vërtetësi edhe portretet e njerëzve të thjeshtë, punëtorëve apo partizanëve. Në të gjitha pikturat e Xhixhës dominojnë ngjyrat e forta që të ndërthurura këndshëm me njëra-tjetrën i japin më shumë vitalitet jo vetëm tablosë, por edhe personazhit apo peizazhit.

Sali Xhixha ishte piktori më jetëgjatë në Durrës si moshë por është gjithashtu edhe piktori më jetëgjatë për sa i përket periudhës si piktor: rreth 70 vite. Ai e kishte filluar që në moshën shtatëvjeçare të merret me gdhendje dhe pikturë dhe vazhdoi deri në frymën e fundit të prodhojë vepra artistike.

Tablonë e parë në vaj, që është edhe pjesë e galerisë së arteve, Xhixha e kompozoi në moshën 15-vjeçare. Në bilancin e punimeve të tij, Xhixha numëron  rreth 1300 piktura në vaj, dhjetëra në teknika të tjera; po kaq mund të jenë të shpërndara edhe nëpër shtëpitë e miqve të tij, të dhuruara bujarisht prej piktorit. Gjatë gjithë karrierës artistike, Xhixha ka hapur katër ekspozita vetjake nga viti 1947-1982, duke marrë pjesë në të gjitha ekspozitat lokale dhe në shumë ekspozita kombëtare. Ai është dekoruar tri herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si dhe nga Ministria e Arsimit e Kulturës me fletë nderi në art.

Në 80-vjetorin e lindjes, piktori i shquar i qytetit tonë Sali Xhixha u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Titulli që iu akordua  Xhixhës ishte një vlerësim për kontributin e dhënë prej tij në 60 vjet krijimtari, për vlerat dhe dimensionin e artit të tij përmes të cilit ai vazhdoi të transmetojë çdo ditë  mesazhe dashurie për njerëzit dhe qytetin e Durrësit.