Profesori i njohur i gjeografisë dhe demografisë, Arqile Bërxholi është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare. Bërxholi i lindur më 3 shkurt të vitit 1943, që njihet për botimin e hartave dhe atlaseve në Shqipëri, u diplomua në degën Histori-Gjeografi të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1967, me titull: “Mësues i Historisë dhe Gjeografisë për Shkollat e Mesme”. Pas kualifikimit universitar ai u pajis me disa grada dhe tituj shkencorë si “Docent”, “Doktor i Shkencave”, “Mjeshtër Kërkimesh”, “Drejtues Kërkimesh” dhe “Profesor”.
Në përfundim të studimeve të larta, ai u emërua drejtor në shkollën 8-vjeçare “Misto Mame” në Gjirokastër. Pas kësaj u emërua asistent në Katedrën e Gjeografisë, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, ku filloi përgatitja si pedagog i lëndës “Gjeografi ekonomike e Shqipërisë” dhe mori titullin “pedagog”.
Gjatë karrierës së tij akademike ka realizuar një seri studimesh në fushën e gjeografisë së popullsisë, të gjeografisë sociale,të mjedisit si dhe të asaj urbane. Në studimet për mjedisin janë realizuar dhe atlase të veçanta, si dhe zonifikime përkatëse.Ka një përvojë pune mbi 45-vjeçare në fushën e mësimdhënies në shkollën e lartë dhe në atë kërkimore-shkencore. Gjatë kësaj kohe ka realizuar edhe një seri botimesh me karakter shkencor-popullor,si dhe tekste e programe shkollore të niveleve nga më të ndryshmit.