Nga Ardi Omeri
U shua në moshën 100-vjeçare Shaban Gugashi, "rekordmeni" i dashurisë durrsake që bashkë me zonjën Sulltane Gugashi kishin hyrë së bashku në vitin e 75-të të martesës. Një rekord jo vetëm shqiptar, por edhe botëror.
Kush ishte Shaban Gugashi?
Ai lindi më 14 qershor 1919 në Shkup nga një familje gjakovare. Në kohën kur lindi, kufinjtë e Shqipërisë nuk ishin të ndaluar për shqiptarët që kishin banesë dhe aktivitete kudo ku banonin shqiptarët në Ballkan.
Babai tij, Ramadani kishte aktivitet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, Durrës. Ai kishte një restorant aty ku është sot Pallati i Kulturës. Shabani erdhi në Durrës pas studimeve në Shkup dhe merrej me mbarëvajtjen e biznesit familjar, por pas shumë pak muajsh, pasi ra në kontakt me lëvizjen antifashiste. Ai arrestohet nga italianët dhe burgoset. Familja paguan dhe pasi del nga burgu, Shabani shkoi partizan. Luftoi dhe vazhdoi shërbimin në Shtabin e Përgjithshëm deri në vitin 1945.
Falë studimeve në Shkup, ai fillou punë në oficinën e parë mekanike në Durrës me specialistin italian Mario Catalanin dhe durrsakun Kosta Mano. Në vitet 1947-48, për nevojat e popullsisë lindi nevoja e krijimit të fabrikës së makaronave, që në atë kohë quhej punishja e Beshirit, që ishte tek kryqëzimi i lagjes së re, ose te ish-shkolla e natës (për ata që e mbajnë mend). Më pas u krijua një fabrikë tjetër pikërisht përballë spitalit rajonal Durrës, me rreth 200 punëtorë, e cila më pas, po me drejtimin mekanik të usta Shabanit u transferua tek Fabrika e Makaronave, atje ku është sot firma “Teuta”.
Shaban Gugashi, në moshë shumë të re, me asistencën e mjeshtrit italian ndërtoi makineritë e para dhe Durrësi u bë furnizuesi i gjithë Shqipërisë me makaronat e para “Made in Albania”. Këto linja më pas, me porosi të Ministrisë së Lehtë e Ushqimore, u shtrinë në të gjithë Shqipërinë dhe në të gjitha ishte firma e mjeshtrit Gugashi.
Në Fabriken e Makaronave, ai u njoh me zonjën Sulltane që ishte nga familja durrsake Çyrbja dhe në fund të marsit 1946 martohen për të kaluar së bashku gati 75 vjet. Ata sollën në jetë tre vajza dhe një djalë.
Me ndarjen nga jeta të Shaban Gugashit shuhet një rekord jete martesore, ikën nga jeta një nga të paktët partizanë të mbetur gjallë në shekullin XXI, ustai i ndërtimit të makinerive të prodhimit të makaronave, një baba, gjysh e stërgjysh për dhjetëra nipër e stërnipër, ppr edhe një bashkëqytetar durrsak që jetoi në dy shekuj, dhe në tre shtete ku shtrihet kombi shqiptar.





