Është ndarë nga jeta shkrimtari i njohur shqiptar Kasem Trebeshina. Shkrimtari mbylli sytë për herë të fundit në moshën 91 vjeçare në Ankara të Turqisë, teksa ndodhej në shtëpinë e vajzës së tij ku jetonte prej kohësh.

Trupi i tij i pajetë ka mbërritur sot në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit te varrezat e Tiranës.

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, dhe e botuar pas rënies së komunizmit, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet.

Kush ishte Kasem Trebeshina

Kasëm Trebeshina (i lindur në Berat, më 8 gusht 1926) është shkrimtar shqiptar. Pas rënies së komunizmit filloi të proklamohej si disident duke marrë për bazë një promemorie që thuhej t’ia kishte dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, ku e kritikonte metodën e realizmit socialist. Megjithatë vërtetësia e këtij pretendimi është vënë në pikëpyetje dhe promemoria është quajtur shpikje, e bërë me qëllimin e vetëm të shpalljes së Trebeshinës disident dhe të dëmtimit të imazhit të shkrimtarit Ismail Kadare i cili refuzonte të quhej disident.