TIRANË – U nda sot nga jeta në moshën 77-vjeçare shkrimtari i njohur i librave për fëmijë Skënder Hasko. Ceremonia mortore e shkrimtarit do të zhvillohet nesër në Dukat të Vlorës, në vendlindjen e tij. Skënder Hasko u lind më 2 mars të vitit 1936. Gjatë karrierës së vet ka punuar në revistën “Hosteni”, në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, kryeredaktor i revistës “Pionieri” dhe drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve. Aktualisht ishte redaktor në shtëpinë botuese “Toena” – sektori i letërsisë për fëmijë.
Libri i tij i parë është “S’jam i vogël”, botuar në vitin 1971. Gjatë gjithë periudhës ka botuar 7 romane për fëmijë e të rritur, 1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiograma, si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa herë, jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa disa prej tyre janë përkthyer në gjuhë të ndyshme të botës, si rusisht, greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime kombëtare, si: “La Fonteni”, “Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodani”, “Tasim Gjokutaj”.
Njëzet vjet më parë, shkrimtari Skënder Hasko do të bëhej i famshëm me librin për fëmijë, ”Një gjeneral kapet rob”, i cili në Konkursin Kombëtar, u vlerësua me çmimin e parë. Ndërsa më vonë ai u bë film, po me të njëjtin titull. Kurse me romanin për fëmijë, ”Gjashtë muaj nga jeta e Besianit”, ai u nderua me çmimin ”Libri më i mirë për fëmijë, i vitit 2005”.