Një tjetër figurë e njohur në Durrës është ndarë nga jeta një ditë më parë. Në moshën 75-vjeçare ka ndërruar jetë stomatologu Mit’hat Peku, i cili vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Ndarja e tij nga jeta shkakton dhimbje jo vetëm tek familjarët , por edhe tek kushdo që e njihte Mit’hatin dhe e kujton si njeri i mirë e i përkushtuar, familjar i rregullt dhe profesionist në fushën e tij.

I lindur në Shkodër më 26 korrik 1945, Peku u bë i njohur që në rininë e hershme në qytetin e Durrësit, kur ishte pjesë e ekipit të Lokomotivës në basketboll për meshkuj.

Më pas, i riu Peku do të fokusohej në studimet e larta, në Fakultetin e Mjekësisë, ku u diplomua për Stomatologji në vitin 1970. ky profesion që do ta shoqëronte Mit’hatin gjithë jetën, madje ai do t’ia trashëgonte atë edhe vajzës së tij, Ingridit.

Për rreth 8 vite, ai punoi me përkushtim në profesionin e tij në Burrel. Më pas do të zhvendosej në Shijak, ku ofroi shërbimet e tij për 5 vite me radhë për qindra banorë të qytezës së vogël.

Stacioni i fundit do të ishte qyteti i Durrësit, ku për shumë vite me radhë punoi si stomatolog pranë spitalit rajonal, poliklinikës dentare dhe më pas në klinikën e tij private.