Serbi, 28 prill 2014 – U nda nga jeta në moshën 82-vjeçare Vujadin Boskov, trajneri legjendar i Sampdorias që fitoi kampionatin e Seria A në sezonin 1990-1991. Shtypi serb bën të ditur se funerali do të zhvillohet të martën e ardhshme në Begec, qytetin e tij të lindjes, 15 km nga Novi Sad.

Përveç triumfeve të shumta si trajner, popullariteti i tij u ushqye dhe nga deklaratat e tij vërtet të spikatura para mikrofonave. Disa prej frazave të tij më të famshme, kanë mbetur të fiksuara në memorien dhe zemrat e të pasionuarve të futbollit italian. Para se të ulej në stol, Boskov ishte futbollist.

Fitoi argjendin olimpik në Helsinki 1952 me Jugosllavinë, në sezonin 1961-1962 shkoi në Itali, te Sampdoria për të luajtur vetëm një sezon, para se të emigronte në Zvicër, të Yang Boys. Pikërisht në Bernë nisi karrierën e tij si trajner, por suksesi i parë erdhi në Holandë me Den Haag, skuadër me të cilën fitoi Kupën Kombëtare në 1975.

Shtegtimi i tij e çoi më pas deri në drejtimin e Realit të Madridit që e udhëhoqi drejt suksesit në La Ligën e 1979-1980 dhe në fitimin e dy Kupave të Mbretit. Pastaj rikthimi në Itali, këtë herë në stol, fillimisht te Ascoli që e ngriti në Serinë A dhe më pas te Sampdoria ku fitoi një titull, dy Kupa të Italisë, një Superkupë Italie dhe Kupën e Kupave në 1989-90.

Në stolin dorjan shkoi deri në finalen e Kupës së Kampionëve në 1992-shin, ku humbi në shtesë ndaj Barcelonës. Në Itali drejtoi dhe Romën, Napolin e Perugian, ndërsa për dy herë radhazi u bë dhe trajner i kombëtares së tij, me të cilën mbylli karrierën në 1992 pas Europianit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/