Vajza e dizenjatores kosovare Xheraldina Rexhepi, Rebeka, ka ndërruar jetë, pas një lufte të gjatë me kancerin. Edhe pse pati një përmirësim në 2014, duke bërë të mundur zhdukjen e qelizave tumorale nga trupi, kanceri iu rikthye dhe këtë herë ka qenë fatale për të.
Sëmundja iu shfaq në moshën 16-vjeçare, dhe pothuajse të gjitha mediat bënë thirrje që gjithsecili të jepte kontributin e tij për kurimin e adoleshentes jashtë vendit. Lajmi u bë i ditur nga njerëzit që e njihnin Rebekën dhe nënën e saj, Xheraldinën.
‘Njerëzimi ka zhvilluar një teknologji që bën të pamundurën të mundur … kemi dërguar njeriun në hënë, e kalojmë oqeanin në pak orë, jemi në kontinente të ndryshme brenda një dite, por…nuk mund të gjejmë kurën e kancerit???!!! Unë mendoj që në të vërtetë, ne nuk duam. Nuk kemi dëshirë. Sa turp për njerëzimin. Sa turp’, ka qenë statusi i ambasadores kosovare në SH.B.A, Vlora Çitaku.
‘Luftuan, të dyja, të gjithë bashkë’, shkruan moderatorja Sonila Meço në Instagram, ‘Fituan disa herë, pa e ditur afatin e fundit. As nuk menduan për kufirin dekurajues, por na dhuruan historinë më të bukur të jetës, që kam dëshmuar mes miqve të mi’
Edhe shumë të tjerë, të afërt të familjes, kanë shprehur keqardhjen që Rebeka, vajza që arriti të mposhtte kancerin në adoleshencë, nuk ia doli të triumfonte përsëri.