Bashkimi Evropian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes
Këtë e ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth këtij rasti që ka nxitur reagime të ashpra nga Kosova.
“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano.
Ai shtoi se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“.
Autoritetet serbe të mërkurën kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”.
Kështu thanë autoritetet në Prishtinë, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.
Stano ka përsëritur thirrjen për të dyja palët që të respektojnë obligimet nga dialogu.
“Presim nga palët që në tërësi të zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu, të cilat janë obliguese dhe të vlefshme. Ne, po ashtu, presim nga palët që të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për dialog në mënyrë që të shmanget çfarëdo veprimi i cili mund të rrezikoj sigurinë dhe stabilitetin“, thuhet në reagimin e BE-së.
Më herët gjatë ditës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës u kërkuan qytetarëve që të mos kalojnë përmes Serbisë “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.
“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.
Ndërkaq, MPJD-ja përmes një njoftimi të ndarë për media, tha se pak orë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill u mbështet anëtarësimi i Kosovës, institucionet janë njoftuar se në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë në Batrovci, autobusët e Kosovës, që po kalonin transit, janë ndaluar nga autoritetet kufitare serbe. Po ashtu, e njëjta situatë është edhe në pikëkalimin në Shid.
“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikën kufitare në Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë [që lidh Kosovën me Serbinë] dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas”, tha MPJD-ja.
Kjo ministri tha se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale, si dhe ato të autobusëve.
“Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, u tha në njoftim.
Paraprakisht sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, përmes një postimi në Facebook, tha se në Batrovci janë ndaluar të paktën katër autobusë, me “mbi 300 udhëtarë nga Kosova”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut” ndalimin në territorin e Serbisë të shtetasve të Kosovës, të cilët, “janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet”.
Ndryshe, më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.
Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi pas votimit se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.
Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte./REL