Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me ndalimin e pjesëmarrësve në protestën e zhvilluar dje në Tiranë.

Sekretari për të Drejtat e Njeriut, Bislim Ahmetaj  ka deklaruar se PD u garanton të ndaluarve dhe familjarët e tyre se nuk do të përballen me asnjë pasojë juridike, sakaq ka shtuar se do të merren masat për mbrojtjen e tyre publike dhe juridike.

Deklarata e sekretarit për të Drejtat e Njeriut:

Protesta e djeshme para parlamentit ishte paqësore, pasi Partia Demokratike ka deklaruar, qartë dhe në mënyrë të përsëritur, se qendresa e demokratëve do të përdorë mjete të mosbindjes civile, por jo dhunë, deri në triumfin e kauzave të drejta.

Megjithatë protesta nuk i shpëtoi hakmarrjes së verbër të policisë së shtetit, e cila shoqëroi dhe më pas procedoi penalisht dy protestues, zotin Jakup Stafa, prind kujdestar i një fëmije 12 vjeçar dhe zotin Dorison Petoku, aktivist i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Ligësia e drejtuesve të policisë së shtetit nuk njeh as ligj, as kod moral.

Mbrëmë vonë një grup përfaqësuesish të Partisë Demokratike patën takim me drejtues të Komisariatit Nr.1, ku na u tha qartë: Sapo të mbarojnë procedurat, të shoqëruarit do të lihen të lirë.

Dua të theksoj se, për protestuesit e shoqëruar nuk ka asnjë provë.

Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike kanë kërkuar me këmbëngulje provat, të cilat në kundërshtim me ligjin nuk na janë vënë në dispozicion.

Në mungesë të provave dhe pavarësisht faktit se mbrëmë policia tha se do t’i lirojë pas plotësimit të procedurave, ndodhi e kundërta: dy të ndaluarit janë proceduar penalisht.

I garantojmë të ndaluarit dhe familjarët e tyre, se asnjë pasojë juridike nuk do të rëndojë mbi ta dhe se Partia demokratike do të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e tyre publike dhe jurdike.

Partia Demokratike sapo të vijë në pushtet do të amnistojë çdo penalizim që do t’u bëhet pjesëmarrësve në protestat e opozitës.

Edhe një herë u bëjmë thirrje drejtuesve të policisë së shtetit të zbatojnë ligjin për protestat dhe lirinë kushtetuese të qytetarëve për protestë.

Asnjë veprim antiligjor i Policisë dhe padronëve të tyre nuk do të mund të ndalojë revolucionin demokratik.

Përpjekja për t’i trembur protestuesit nuk do të funksionojë. Ne do të mblidhemi edhe më të shumtë në numër, edhe më të vendosur të enjten para Kuvendit.

Për ti dalë zot pluralizmit dhe Shqipërisë!