Pas ndalimit nga policia të kreut të Aleancës Kuqezi Kreshnik Spahiu, ka reaguar deputeti demokrat Flamur Noka, duke deklaruar se është e papranueshme që një kryetar partie të arrestohet sikur të jetë vrasës profesionist.

 “Sot ra një kambanë alarmi që shteti ligjor në këtë vend ka rënë. Ky shtet po përpëlitet. Të arrestosh kreun e një partie pse zhvillon një protestë, do të thotë që e drejta e shtetit ligjor nuk ekziston më në këtë vend. Të arrestohet kreu i një partie në zyrë si të ishte një kriminel, si të ishte një vrasës.

ër fat të keq, kjo po ndodh rëndomë në Shqipëri. Ju e shihni, arrestohen qytetarë të lirë, arrestohet kreu i një partie, arrestohen personalitete si të ishin vrasës profesionistë, ndërkohë trafikantë, kriminelë janë në parlament, ndërkohë trafikantë e vrasës hanë e pinë me qeveritarët dhe bredhin lirshëm. Nuk besoj se keni parë në këto tre vjet të arrestohet qoftë edhe një kriminel në këtë mënyrë, por arrestohen vetëm qytetarë të lirë”, ishte reagimi i Nokës.

Spahiu u shoqërua sot në ambientet e komisariatit numër 1, pas një protestë pa leje që AK zhvilloi këtë të premte para Bashkisë së Tiranës. Bashkë me të, u shoqërua edhe nënkryetari i Aleancës Kuq e Zi, Flavio Qarri, të cilët patën përleshje me policinë gjatë tentativës për t’u futur në bashki e për të zënë derën me dërrasa.