GJIROKASTER– Policia e Gjirokastrës në sajë të një operacioni antitrafik ka bërë të mundur ndalimin e 14 shtetasve të huaj nga Algjeria, Tunizia dhe Siria të cilët kishin hyrë ilegalisht në teritorin tonë nëpërmjet kufirit të gjelbërt me shtetin grek.

Gjithashtu policia ka arrestuar edhe dy shoqëruesit e tyre, Barjam Qibini 22 vjeç dhe Qëndrim Qibini 29 vjeç, të dy nga fshati  Luzat i Tepelenës të cilët po i ndihmonin ata të udhëtonin drejt Tiranës.

Sipas policisë, 2 të arrestuarit do t`i ndihmonin shtetasit e huaj të shmangnin postobllokun e Policisë në Ujin e Ftohtë Tepelenë duke kaluar me këmbë nëpërmjet pyllit e më pas deri në Tiranë kundrejt një shpërblimi prej 600 euro secili.

Mësohet se dy të arrestuarit nuk i janë bindur thirrjes së policisë për të ndaluar dhe janë larguar me vrap por vetëm disa minuta më vonë janë kapur nga forcat e policisë së bashku me shtetasit e huaj.

Ndërkohë materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, kryer në bashkëpunim”.