SHKODER, 22 shkurt 2013 – Dy vajza janë ndaluar nga policia, pasi u kapën në flagrancë me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit.
Burime nga policia bëjnë të ditur se shtetaset Manjola Lumnica dhe Isida Plumbi u ndaluan në Muriqan, teksa po tentonin të kalonin kufirin me një automjet tip Fiat Multipla me targë AA 431 FP, në të cilën u gjetën rreth 40 kg kanabis sativa e ndarë në 42 pako. Por disa orë më vonë policia ka liruar Isida Plumbin, pasi vajza ishte vetëm pasagjere në automjetin ku u kap droga dhe nuk kishte lidhje me transportimin e lëndës narkotike. Efektivët e rendit kanë prangosur vetëm Manjola Lumnicën që rezulton të jetë pronarja e automjetit.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur origjinën dhe destinacionin e drogës, si dhe identifikimin personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet trafiku.





