GJIROKASTËR, 24 gusht 2013 – -Vijon hyrja e klandestinëve ilegalë në tokën shqiptare. 26 shtetas të huaj nga Eritrea, Pakistani e Maroku janë kapur sot nga Sektori Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Policia ka shoqëruar dhe dy shtetas nga Mallakastra që dyshohet se janë shoqërues të klandestinëve që kishin hyrë në territorin tonë nëpërmjet kufirit të gjelbërt me shtetin grek. Mes emigrantëve ilegalë dhe 4 femra. 

Sic bën të ditur drejtoria e policisë së Gjirokastrës, sot rreth orës 04.30 Specialistët e Seksionit Kundër Tarfiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër mbi bazën e informacioneve të marra se, një grup shtetasish të huaj po udhëtonin në aksin rrugor Jorgucat -Gjirokastër me këmbë nëpërmjet shtratit të lumit Drino. Policia është vënë në ndjekje të tyre ku në vendin e quajtur Sofratikë në aksin rrugor nacional ku këta shtetas kanë dalë në rrugë kryesore dhe kanë hipur në një furgon të cilit i kanë bërë shenjë të ndalojë. 

Në ndjekje të automjetit janë vënë Specialistët e Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku në afërsi të qytetit Gjirokastër kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit së bashku me klandestinët. 

Në automjet u konstatuan 26 shtetas nga Eritrea, Pakistani e Maroku, ndërmjet tyre edhe katër femra. 

Specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dy shtetasit nga Mallakastra S.B 26 vjeç që është dhe drejtuesi i automjetit si dhe K.M, 28 vjeç shoku i tij, të cilët dyshohet se janë shoqëruesit e klandestinëve. 

Shtetasit e huaj janë të shoqëruar në Ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ku vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër me përkthyes të licensuar në gjuhën e tyre, për të vërtetuar nëse dy shtetasit nga Mallakastra janë shoqëruesit e tyre apo i kanë marrë rastësisht në rrugë si pasagjerë klandestinët.