KUKES, 27 shkurt 2013– Është ndaluar në orët e vona të natës së kaluar një 33-vjeçar nga Kosova, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Brukseli për veprën penale "Vjedhje në bashkëpunim". 

Zëdhënësi i drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit, Jaho Caushaj, bëri të ditur se, “ndalimi i shtetasit Blerim Abdullahu, 33 vjec, banues në Podujevë të Kosovës, u bë në doganën e Morinit, pasi gjatë kontrollit të dokumenteve rezultoi se ishte i shpallur person në kërkim ndërkombëtar në Bruksel të Belgjikës për veprën penale "Vjedhje në bashkëpunim", për të cilën rezultonte i dënuar në mungesë me 2,7 vjet heqje lirie”. 

Pas ndalimit, menjëherë ka nisur përgatitja e dokumentacionit për ekstradimin e tij drejt Belgjikës.

Vendosja e sistemit TIMS në pikat e kalimit kufitar me Kosovën thuajse ka parandaluar tërësisht lëvizjen nga njëra anë e kufirit në tjetrën të personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.