DURRES, 18 shkurt 2013 – Ndalohet në Durrës i shumëkërkuari nga policia. Një 35 vjeçar nga Durrësi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli është arritur të prangoset nga efektivët e komisariatit të policisë së Durrësit.
Në një komunikatë zyrtare Policia e Durrësit bën të ditur se “më datë 17 shkurt, ora 17.00, u bë kapja e ndalimi i shtetasit Armand Sheqi, 35 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Zyra Interpol Tirana, pasi Gjykata e Bolonjës Itali, me vendim Nr. 9400/083 R.G.G.L.P datë 15.02.2012 e ka dënuar me 24 vjet burgim për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
35 vjeçari Sheqi është akuzuar në vendin fqinjë për trafikim të lëndëve narkotike, por gjykata dënimin në ngarkim të tij e ka dhënë në mungesë, pasi nuk ka mundur ta prangosë të shumëkërkuarin, i cili ishte kthyer në Shqipëri.





