Policia e Durrësit ka ndaluar biznesmenin e njohur të ndërtimit në Durrës, Enver Shalën, 2 javë pasi ishte shpallur në kërkim.
49-vjeçari Shala ishte shpallur në kërkim në lidhjen me ngjarjen e ndodhur më 17 shkurt, kur në pallatin në pronë të tij te Shkëmbi i Kavajës, u shembën tre katet e fundit që ishin me konstruksione metalike. Punimet ishin të papërfunduara, pasi nuk disponohej leje ndërtimi. Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Policia thotë se pas ndalimit, ndaj biznesmenit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Ai akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë, një javë pas ngjarjes kur u shembën 3 katet, djali 19-vjeçar i Enver Shalës denoncoi në polici se kishte konstatuar 6 kallëpe të dyshuar me lëndë plasëse po në këtë pallat.
Sipas kallëzimit të tij, i riu i kishte gjetur ato në katin e 18-të të godinës 20-katëshe. Policia ushtroi kontroll të imtësishëm në objekt dhe rezultoi se lënda plasëse ishte vendosur nga 3 kallëpe në dy kollonat e betonit.





