Me urdhër të Prokurorisë, policia ka ndaluar kreun e Tatimeve të Shkodrës, i akuzuar për shpërdorim detyre, pasi rimbursoi në mënyrë të paligjshme TVSH-në e firmës së djalit të motrës.

Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se shtetasi Hysen Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H…”shpk.

Në bazë të veprimeve procedurale, rezulton se shoqëria “H…” shpk, me administrator shtetasin M.H, i cili është djali i motrës së Hysajt, kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së.

Në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së. Në rastin konkret, shoqëria “H…” shpk nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Nga ana e administratës tatimore, rezulton se nuk është kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, si edhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij. Po ashtu, subjekti “H…”shpk nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor, detyrim ky që lidhet me verifikimin për rimbursimin e TVSH-së.

Pavarësisht këtyre mosveprimeve të administratës tatimore, nga ana e Prokurorisë së Shkodrës janë krijuar dyshime të arsyeshme se drejtori rajonal i Tatimeve ka favorizuar subjektin tregtar, duke i rimbursuar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e TVSH-së, në shifrën e mbi 10 milionë lekë të rinj.