Tiranë, 22 qershor 2014 –  Një person është ndaluar nga policia ditën e sotme lidhur me vrasjen e 28- vjeçarit Saimir Ziza. Policia e komisariatit numër 4 bën me dije se ka ndaluar Fredi Çengën. Nga hetimet paraprake bëhet me dije se 28-vjeçari është qëlluar 6 herë në trup nga dy persona ende të paidentifikuar. 

Ziza u vra të premten në orën 22:40 në rrugën “5Maji” në kryeqytet. Ai ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak. Saimir Ziza ishte vëllai i shtetasit Shpëtim Ziza, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 10-vjeçarit Besim Çenga, në tetor të vitit 2007 në Peshkopi. 

Familjarët e viktimës thonë se 21-vjeçari është vrarë për hasmëri nga pjesëtarë të fisit Çenga. “E kanë vrarë në pragun e derës së shtëpisë. Djalin ma ka vrarë hasmi për hakmarrje.”- deklaroi nëna e 21-vjeçarit. Ndërkohë policia po vijon hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e vrasjes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/