Presidenti Ilir Meta ka takuar sot dy qytetarë të Kavajës, të cilët më 24 shtator u bënë dëshmitarë të një plagosje me armë zjarri pranë bashkisë së vjetër, ndërsa arritën të neutralizonin autorin.

Meta shkruan në Facebook se ka pritur shtetasit; Ymer Xhafa, ish-punonjës policie dhe Bajram Shalën, ndërsa i falënderoi ata përzëmërisht për aktin pasi rrezikuan jetën e tyre.

Sipas Kreut të Shtetit, shembuj të tillë i duhen shoqërisë, për të qëndruar larg konflikteve.

POSTIMI I PLOTË

Kënaqësi e veçantë të takoja sot dy qytetarë të mrekullueshëm të Kavajës, z.Ymer Xhafa dhe z.Bajram Shala, të cilët dy ditë më parë rrezikuan jetën e tyre për të neutralizuar një shtetas të armatosur në qendër të qytetit, i cili plagosi një shtetas tjetër, ngjarje që mund të kthehej në një tragjedi të madhe. I falenderova përzemërsisht për aktin e tyre të lartë qytetar, në mbrojtje të jetës, paqes sociale dhe sigurisë publike. Shembuj të tillë frymëzues i duhen mbarë shoqërisë tonë, për të qëndruar larg konflikteve, dhe për të reaguar kundër dhunës, krimit por dhe indiferencës, që rrezikon jetën, pronën e sigurinë qytetare.