TIRANË– Aleanca Kuq e Zi reagon ashpër për ndarjen e mandateve nga Kuvendi sipas skemës së vitit 2009. Kjo parti i cilëson “atentatorë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë 72 deputetët e Parlamentit Shqiptarë, që votuan pro ndarjes së mandateve nga Kuvendi dhe jo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.
Për Aleancën Kuq e Zi koalicioni i tradhëtarëve po shkatërron zgjedhjet e 23 qershorit, duke e kthyer vendin shumë vite pas, kur zgjedhjet nuk kanë gëzuar asnjëherë standarde demokratike.
“Kuvendi shpërfilli mesazhin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexandër Arvizu për këtë çështje kaq të ndjeshme për të ardhmen e vendit dhe themelet e demokracisë”,- thotë AK në deklaratën e saj.
Aleanca Kuq e Zi paralajmëron se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e këtij vendimi, që cënon rëndë themelet e demokracisë dhe ku shqiptarëve i mohohet e drejta për të votuar si të barabartë.
“Me standardin e miratuar nga Kuvendi dy vota në Tiranë janë të barabarta me një votë në Tropojë. Aleanca Kuq e Zi i drejton apel institucioneve ndërkombëtare, që veprojnë në Shqipëri, që të reagojnë për këtë vendimmarrje të ‘kasapit’ të votës së lirë”,- thuhet në deklaratë.