TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë po diskuton për pr/ligjin për ndarjen e mandateve të deputetëve për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Seanca po shoqërohet me debate për shkak të qëndrimeve të kundërta mes palëve për këtë çështje. Demokratët kërkojnë që ndarja e mandateve të bëhet nga Kuvendi, sipas vitit 2009, në kushtet kur KQZ nuk arriti ta përmbyllte këtë proces. Nga ana tjetër socialistët pretendojnë se Kuvendi nuk mund të marrë kompetencat e KQZ-së.
RUCI: TE PERAFROJME QENDRIME, PO SHKELNI LIGJIN
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi që çështja e mandateve të mos votohet në seancën e sotme, por palët të përfarojnë qëndrimet në mënyrë që siç tha ai, të mos shkelen ligjet dhe Kushtetuta. Sipas Ruçit, nëse mazhoranca vendos në mënyrë të nëjanshme për çështjen e mandateve, zgjedhjet e 23 qershorit janë të konpromentuara pa nisur ende.
“Po diskutojmë për një kryer një krim dhe uzurpim shtetëror për zgjedhjet ju po kërkoni të prishni rregullat e lojës, unë ju rikonfirmoj se nëse ju do e bëni këtë, do keni përgjegjësi të madhe ndaj kushtetutës dhe do ndëshkoheni rëndë, moralisht, politikisht dhe ligjërisht, por tani ju bëj kërkesë, debatin e bëmë, në emër të grupit ta lëmë debatin, të mos e votojmë, të vazhdojmë si më parë që ju në emër të PD, unë në PS, të mblidhemi për ndarjen e mandateve e të përafrojmë qëndrimet në zbatim të plotë të kushtetutës, të kodit dhe precedentëve parlamentarë, ndryshe e keni kompromentuar procesin që sot”- u shpreh Ruçi.
PALOKA: PS NJOLLOSI PROCESIN NË KQZ
Deputeti demokrat Edi Paloka, lexoi relacionin e miratuar vetëm me votat e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve. Në bazë të këtij relacioni, Kuvendit i kërkohet të marrë vendim për ndarjen e mandateve sipas formulës së zgjedhjeve të fundit parlamentare, pasi më parë KQZ dështoi në marrjen e një vendimi për një ndarje të re të tyre.
Sipas deputetit Paloka, KQZ nuk arriti të merrte vendim për ndarjen e mandateve, “pasi në Komision u shpreh qartë vullneti për të bllokuar nga anëtarët e propozuar nga PS.”
“KQZ ezauroi plotësisht rrugën e tij administrative për të vendosur numrin e mandateve të zonave zgjedhore. Në përfundim te procedurës, parashikuar në kodin zgjedhor, KQZ nuk mundi të miratonte këtë çështje. Njollosja e procesit ka përgjegjës tre anëtarët e KQZ të propozuar nga opozita. Kuvendi ka kompetencën e plotë ligjore për caktimin e mandateve të deputetëve për zgjedhjet. Kjo nuk është vetëm e drejtë, por detyrim i kuvendit i vendosur në kodin zgjedhor. Kuvendi nuk mund të lejojë futjen e procesit në kolaps. Kuvendi ka detyrimin ndaj shqiptarëve dhe detyrimin sipas ligjit të bëjë caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Kuvendi nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin e KQZ, për pasojë rruga e vetme mbetet caktimi i mandateve të bërë nga kuvendi në vitin 2009.”- u shpreh Paloka.
MANDATET, GJIKNURI: PO NDAHEN ME DHUNË
Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri akuzoi sot Kuvendin se po kryen një krim të dyfishtë me atë që ai e quajti, ndarjen e mandateve në mënyrë të dhunshme.
“Tentativa për të ndarë në mënyrë të dhunshme mandatet është një krim i dyfishtë. Kuvendi do të uzurpojë në mënyrë të paligjshme pushtetin, duke ndarë mandatet në kundërshtim me të drejtën e votës”, tha Gjiknuri ndërsa shtoi se “Po krijohen mutacione juridike, pasi kërkohet me cdo kusht kërkohet ndarja e njëanshme e mandateve”, sic tha ai.
Sipas Gjiknurit mandatet duhet të ndahen me consensus por sic tha ai Kuvendi ka marrë në dorë ‘frenat’ pasi “Njerëz të cilët banojnë në Kamëz e Laprakë me urdhëresë të Ministrisë së Brendshme janë vendosur në 4 komunat e Kukësit, që aty të rritej artificialisht numri i banorëve”, tha ai.
Kjo praktikë sipas Gjiknurit kundërshtohet nga opozita, por nga ana tjetër interpretohet prej maxhorancës si bllokim.
“Nuk është bllokimi jonë, por diktat i njëanshëm politik dhe ju e shisni si bllokim, ndërkohë që realiteti neve na detyron të bëjmë vetëgjygjësi politike”, iu drejtua Gjiknuri mazhorancës.
“Edhe sikur kështu të rrinë mandatet, edhe pa konsensus të jeni të bindur që nuk e merrni dot votën e popullit”, shtoi ai.
BLUSHI: TA FILLOJME LOJEN NE MENYRE TE BARABARTE
Sipas deputetit socialist Ben Blushi, mazhoranca po tenton të vendosë në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës, duke ndarë mandatet në Kuvend. Deputeti socialist theksoi se “opozita nuk kërkon të marrë të drejta që nuk i takojnë, por kërkon që loja të fillojë në mënyrë të barabartë.”
“Ne 20 vjet ky parlament nuk ka bërë këtë që po tentoni të bëni ju sot, të ndani në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës. Ky është vendim i njëanshëm që nuk ju çon asgjëkundi. Doni ta ndani Shqipërinë si të doni, po ndani vendin jo në banorë por në votues. Me çtë drejtë ju i thoni një kuksiani jeto në Kukës sa të mbarojnë zgjedhjet.”- u shpreh Blushi.
SHEHU: KUVENDI PO SHPËTON PROCESIN ZGJEDHOR
Duke folur për ndarjen e mandateve, deputeti i PD-së Tritan Shehu arsyetoi se angazhimi i Kuvendit në këtë proces bëhet, sic tha ai vetëm për të shpëtuar zgjedhjet.
“Kuvendi po shpëton procesin zgjedhor. Pretendimet tuaja janë të pabaza dhe të papërputhshme me ligjet e KQZ jo vetëm të këtoj viti por edhe në praktikat e mëparshme”.
Ai shtoi se, “Vendimi i Kuvendit ishte i detyruar nga mosveprimi i anëtarëvëe tuja në KQZ”, tha Shehu ndërsa shtoi se “Ashtu sic vepruar edhe para zgjedhjeve të 2009 edhe para zgjedhjeve lokalit, ju po ndjeni humbjen në zgjedhejt e 23 qershorit”.
MAJKO: DUAN TË VRASIN ZGJEDHJET
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti i PS-së Pandeli Majko deklaroi se me ndarjen e mandatateve nga ana e Kuvendit po shkelet kodi zgjedhor.
Ai u shpreh se e gjitha kjo ndodhi nga shtimi artificial i popullisisë në Kukës. “Kjo që po ndodh më shumë se turp”, nënvizoi Majko.
Ai tha më tej se është një akt i paprecedent, “që mandatet të ndahen sipas vitit 2009”, tha ai.
Majko shtoi më tej se, ka filluar sezoni i gjahut dhe po kërkohet të vriten zgjedhjet.
“Shqiptarët duhet të refuzojnë të jenë gjahu i politikës, ata duhet të vendosin masivisht të vendosin me votën e tyre kundër kësaj kolere politike”.
Raporti i komisionit të Ligjeve përcakton mandatet për çdo zonë zgjedhore në të 12 qarqet e vendit, si më poshtë vijon:
1. Zona zgjedhore qarku Berat – 8 mandate
2. Zona zgjedhore qarku Dibër – 6 mandate
3. Zona zgjedhore qarku Durrës – 13 mandate
4. Zona zgjedhore qarku Elbasan – 14 mandate
5. Zona zgjedhore qarku Fier – 16 mandate
6. Zona zgjedhore qarku Gjirokastër – 5 mandate
7. Zona zgjedhore qarku Korçë – 12 mandate
8. Zona zgjedhore qarku Kukës – 4 mandate
9. Zona zgjedhore qarku Lezhë – 7 mandate
10.Zona zgjedhore qarku Shkodër – 11 mandate
11.Zona zgjedhore qarku Tiranë – 32 mandate
12.Zona zgjedhore qarku Vlorë – 12 mandate