Demokratët nuk kanë ankimuar ende në Kolegjin Zgjedhor rishpërndarjen e mandateve edhe pse janë në limitet e fundit kohore. Por për përfaqësuesin ligjor të Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjoncaj, Kolegji Zgjedhor nuk ka tagër për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Institucioni i vetëm që përcakton shpërndarjen e mandateve, sipas Gjoncaj, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“E parë në aspektin juridik, Kolegji Zgjedhor nuk mund të caktojë dot mandatet. Ligji ja ka ngarkuar këtë të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sikundër ju e dini, arsyeja që KQZ nuk përfundoi dot me një vendimmarrje është fakti i transparencës që duhet të bëjë qeveria, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, lidhur me rritjen e numrit të popullsisë në katër komunat e Kukësit.
Prandaj unë gjykoj dhe jam me shpresë që zgjidhja nuk mund të vijë nga Kolegji Zgjedhor, por është një zgjidhje që do të duhet të vijë dhe do vijë padyshim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”,- u shpreh Gjoncaj.
Burime nga KQZ-ja shprehen se nëse demokratët nuk depozitojnë sot ankimimin në Kolegjin Zgjedhor, atëherë mbeten në fuqi mandatet e 2009-ës.