Tregu imobiliar në Durrës pritet të ketë zhvillime, pas çmimeve të reja të referencës që Ministria e Financave ka përgatitur për bashkinë, të cilën e ndan në 13 zona kadastrale.
Kjo është hera e parë që në projektligjin që ka propozuar ministria çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme, nuk janë të njëjta për të gjithë bashkinë, por variojnë sipas vendndodhjes së pronës që do të shitet.
“DurrësLajm” ka siguruar hartën që përcakton ndarjen e zonave kadastrale dhe çmimet respektive për secilën prej tyre.

Sipas dokumentacionit të përgatitur nga Ministria, zona më e lirë përsa i përket çmimit të referencës është zona kadastrale 8 dhe çmimi i referencës është 45 mijë lekë. Vlen të theksohet se në këtë zonë çmimi është më i ulët nga ai që aplikohej deri më tani për të gjithë bashkinë 67.500 lekë.
Zona përfshin zonën rurale të Hamallajt, ndërsa çmim të lirë ka dhe zona 9, e cila përfshin një pjesë të zonës rurale ttë NJA Ishëm.

Në këtë zonë kadastrale çmim i propozuar i referencës është 50.000 lekë.
Krejt ndryshe paraqiten çmimet e referencës për brezin e viijës bregdetare të kësaj zone. Në Gjirin e Lalzit, çmimi i referencës është 140 mijë lekë, ose 2-fish më i lartë sesa çmimi i mëparshëm unik. Në bazë të çmimit të referencës, ajo renditet si zona e dytë më e shtrenjtë në bashkinë e Durrësit. Çmim të lartë ka edhe zona kadastrale 7 sërish në Gjirin e Lalzit, ku çmimi i propozuar është 90.000 lekë.
Për të mbetur sërish tek njësitë administrative të bashkisë Durrës, një çmim relativisht të ulët ka edhe zona kadastrale 12, zona rurale e Shkëmbit të Kavajës (NJA Rrashbull) që vlerësohet 68.000 lekë.

Në qytet, zona që ka çmimin më të lartë të referencës, plot 200.000 lekë ose 3-fsh më të lartë nga çmimi aktual është ajo ku po zhvillohet projekti Durrës Marina, i miliarderit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar. E gjithë zona që përfshin portin detar është tashmë sipërfaqja ku pritet të zhvillohen ndërtimet shumëkatëshe, strukturat hoteliere, njësitë e shërbimit etj të projektit 2 miliardë euro, ku do të ndërtohet edhe porti i jahteve.
Pas saj, zona tjetër e shtrenjtë (e treta më e shtrenjtë në bashki) është zona kadastrale 1, ku çmimi i referencës është 124 mijë lekë. Kjo zonën nga Ujësjellësi (lagjja n.17) dhe qendrën e qytetit me shtrirje deri në Currila. E ndërsa ministria ka propozuar tani çmimin e referencës 124 mijë lekë, në dhjetor të vitit të kaluar, banesat që do të prishen në këtë zonë (Rruga tregtare), sepse preken nga projekti TID Durrës u dëmshpërblyen me rreth 80 mijë lekë metri katror. Branda pak muajsh qeveria dhe ministria kanë ndryshuar mendje për vlerën e pronës në këtë zonë!!!
Aktualisht ajo është një nga zonat më të shtrenjta të qytetit, me çmime shit-blerjeje që kapin vlerën deri 1300- 2000 euro m2.
Zona kadastrale 2 dhe 3, që i korrespondojnë hapësirës rreth e qark amfieatrit deri tek Muzeu i Dëshmorëve, si dhe lagjet nr.12 dhe nr.18. Ato e kanë çmimin e referencës respektivisht 88.000 dhe 82.000 lekë.
Në bashkinë e Durrësit, zonat kadastrale 4 dhe 5, që referuar çmimeve më të reja të referencës kanë vlerën më të ulët në tregun imobiliar përfshijnë një pjesë të zonës së Lagjes së re deri tek zona e spitalit ish-Kënetën, Shkozetin etj.
Në këto zona çmimi është 78 mijë dhe 77 mijë lekë.
Vija bregdetare e plazhit të Durrësit dhe ajo e Shkëmbit të Kavajës përfshihen në zonën kadastrale 10 dhe kapin vlerën 100 mijë lekë. Ndërsa zona kadastrale 11, që përmbledh një pjesë të zonës së plazhit, por jo përgjatë vijës bregdetare vlerësohet 81 mijë lekë.
Çmimet e reja të referencës të propozuara nga Ministria e Financave pritet të hyjnë në fuqi janarin e vitit të ardhshëm.
M.B.





