Është përcjellë sot për në banesën e fundit ish-kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Andrea Xhavara.

Për shumë vite me radhë ai ushtroi profesionin e mësuesit të matematikës. Në vitet e para të demokracisë, Xhavara punoi pranë Këshillin Pluralist të rrethit si sekretar e më pas kryetar, ndërsa që nga viti 1995 nis angazhimi i tij pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, si sekretar i përgjithshëm, nënkryetar dhe më pas kryetar për 3 mandate i këtij institucioni.

Por si e kujton shoku i tij i fëmijërisë, Arben Babameto, Andrean?

Për “DurrësLajm”, Babameto tregon se njohja me 74-vjeçarin Xhavara nis që nga bankat e shkollës 8-vjeçare për të vijuar më pas në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë e për të vazhduar për vite e vite me radhë me angazhimin e të dyve në botën e biznesit.

“Ishte një njeri shumë kërkues ndaj vetes dhe shumë polemist. I trajtonte të gjitha problemet në detaje dhe me një seriozitet të jashtëzakonshëm. Andrea të vinte në vështirësi, pasi analizat dhe pyetjet që bënte në çdo takim për probleme të ndrshme që shtroheshin ishte nga të rrallët që shtronte probleme dhe kërkonte zgjidhje. Të diskutoje me të duhet të ishe shumë i përgatitur”,- kujton Babameto.

Sipas tij, Xhavara ishte njeri i palodhur dhe shumë punëtor, sepse çdo gjë që merrte përsipër do ta çonte deri në fund.

Me angazhimin që nga viti 1995 pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Xhavara krijoi profilin e njeriut të përkushtuar ndaj problematikave të komunitetit të biznesit për të cilat shpesh propozonte zgjidhje konkrete duke u kthyer në një mbështetës të fuqishëm të zhvillimit të sektorit privat për më shumë se dy dekada.

Për kontributin e madh të dhënë nga Xhavara na rrëfen kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri.  

“Ka qenë një nga themeluesit e komunitetit të biznesit në qarkun e Durrësit. Një kontribues i jashtëzakonshëm në detyrat që ka mbajtur, qoftë si sekretar i përgjithshëm, qoftë si kryetar për shumë e shumë vite. Është një humbje e madhe për komunitetin e biznesit sot dhe të gjithë do ta kujtojnë me admirim kontributin që ai ka dhënë për qytetin e Durrësit, por sidomos për komunitetin e biznesit.”,- tha Isteri.  

Andrea Xhavara u nda nga jeta ditën e premte, në moshën 74-vjeçare.