Politikanët shqiptarë kanë shprehur ngushëllimet për vdekjen e Marko Bellos, ish-deputetit socialist i cili humbi betejën me koronavirusin në moshën 59-vjeçare.

Fillimisht, lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta e dha ish-deputeti i PS, Namik Dokle, i cili shkroi se ishte trishtuar shumë dhe nuk mundi ta besonte.

“Sa i trishte! Sa i pabesueshem ky lajm i mesnates per vdekjen e mikut, kolegut, Marko Bello. Pa i mbushur ende te gjashtedhjetat, na e mori covidcolera! C’behet keshtu? Po na behet fejsbuku varreze!!! Lamtumire, i dashur Marko! Nuk do ta harroj kurre buzeqeshjen tende te pandare, shakane tende mbushur me miresi…”.

Një mesazh ngushëllimi ka ardhur dhe nga Presidenti Ilir Meta, i cili shkruan se ikja e Bellos është një humbje e madhe.

“Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohëshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor! Zoti ju dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes!”

Edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi e kujton me dhimbje kolegun e tij ndërsa shprehet se Bello ishte një zë i fuqishëm i qytetarëve.

“Sot iku Marko Bello. Familja humbi njeriun më të dashur, bashkëshortin dhe prindin, mungesa e të cilit do t’u shkaktojë një dhimbje të thellë.  Ne humbëm shokun, mikun dhe kolegun tonë të rrallë e të respektuar.  Shqipëria humbi një personalitet që i ka shërbyer me devocion si deputet për tre legjislatura, si ambasador, si ministër e si profesor. Por mbi të gjitha, të gjithë humbëm një qytetar të denjë e patriot të madh.”

Për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PS, ka reaguar dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të ish-ministrit dhe ish-deputetit Marko Bello. I shpreh ngushëllimet e mia familjes Bello për humbjen e babait dhe bashkëshortit të përkushtuar, dhe të gjithë miqve dhe kolegëve që humbën të afërmin dhe mikun e tyre të dashur. Marko Bello do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë dhe i moderuar, i prirur drejt bashkëpunimit për hir të interesave të vendit. U prehtë në paqe!”

Kreu i PAA, Agron Duka e quan një lajm të hidhur, të pabesueshёm në këtë vit të mbrapshtё.

“Miku buzagaz, bashkëpuntor i kohëve të vjetra dhe sfidave të reja, ishte një vlerë e shtuar në jetën e secilit prej nesh që kemi pasur fatin të ndajmë me Markon momente jete. Një humbje e madhe për sferën tonë publike, të cilës do t’i mungojë angazhimi i një ofintelektuali aktiv si Profesor Marko. Ngushëllimet më të ndjera familjes Bello, i jam pranë në këtë dhimbje tronditëse. Lamtumirë Marko. I paharruar kujtimi yt!”

“Mik i nderuar! Është e pabesueshme! Ende nuk e besoj lajmin që mora sot herët në mëngjes! Ndjehem shumë i tronditur dhe i trishtuar! Ngushëllime nga zemra për Silvën, Marsidin dhe Nensin! Por edhe për nënën që aq shumë e donte e kujdesej! Kurajë dhe forcë! Nuk gjej dot fjalë për mikun e shtrenjtë që nuk e fitoi dot këtë betejë! Do të na mungosh shumë! Miqësisht Kastriot”, shkruante i prekur Kastriot Islami.